99 Emrat e Bukur të Allahut

88

ٱلْغَنِيُّ

El-Ganijj

I Vetëmjaftueshmi

Ai që nuk ka nevojë për askënd.

Përshkrim

El-Ganii është i Vetëmjaftueshmi, që nuk ka nevojë për asnjë send, ndërsa të gjitha gjërat e krijuara janë të varura nga Ai.

O njerëz, ju jeni qenësisht të varfër dhe nevojtarë për Allahun, ndërsa Ai është el-Ganii, Lavdiploti. Edhe sikur tërë bota të ishte jotja, prapë do të mbeteshe qenësisht i varfër dhe nevojtar për Të.

Shprehja e varfërisë qenësore ndaj Allahut është domosdoshmëri e natyrshme si për nevojat e tua elementare siç është oksigjeni e uji, si për nevojën tënde për ta adhuruar Atë. Në zemër ka një boshllëk të cilin nuk e mbush askush tjetër përveç el-Ganii.

Bindja se depot e të gjitha gjërave janë në dorë të Allahut të vetëmjaftueshëm, të shëron nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi duke të të bërë modest e të përulur.

Mirësitë që i ka besimtari duhet të bëhen shkak i afrisë së tij me Allahun, jo shkak i largimit prej Tij. Pasuria materiale është hair, kur të ta shtojë ndjesinë e nevojës për Zotin, kurse është sherr, kur të bën të ndihesh i pavarur prej Tij.

Më mirë të fitosh pak me djersën tënde, sesa t’u lypësh njerëzve. Krenaria e besimtarit që mbështetet te el-Ganii qëndron në pavarësinë nga krijesat dhe varësinë e plotë nga Allahu.

Lutu e thuaj “O Zot, më ruaj nga gjërat që i ke bërë haram duke më bërë të mjaftohem me gjërat që i ke bërë hallall, dhe më bëj të pavarur prej çdo gjëje tjetër veç Teje”, sepse el-Ganii është Ai, që mund të të nxjerrë nga çdo borxh e çdo hall.