83
ٱلرَّؤُوفُ
Er-Rauf
I Dhembshuri
Ai që është shumë i mëshirshëm me robërit e Tij.
Metoda interaktive ju lejon të dëgjoni dhe të kaloni nëpër 99 emrat e Allahut në mënyrë të vazhdueshme. Mund të aktivizoni shqiptimin automatik, kalimin automatik, ose të dyja bashkë për një përvojë të udhëzuar.
83
Er-Rauf
I Dhembshuri
Ai që është shumë i mëshirshëm me robërit e Tij.
Përshkrim
Er-Rauf është Ai, që mëshiron me butësi absolute, një mëshirë që nuk shoqërohet me vështirësi e sprova, por shtrihet nga fillimi deri në fund vetëm me të mira, duke manifestuar kulmin e mëshirës hyjnore.
Me butësinë e Tij, er-Rauf na i pranon veprat, edhe pse ato janë larg denjësisë për madhështinë e Tij. Ky është një pranim që nuk buron nga meritat tona, por nga dashamirësia e Tij; një pranim i cili garanton që çdo përpjekje e sinqertë të përfundojë me sukses.
Er-Rauf është Ai, që ua pranon pendimin robërve edhe pas vonesës dhe shkujdesjes së tyre, duke i kthyer, me butësi të jashtëzakonshme, nga gjendja e mëkatimit në afri me Të, madje duke ua shndërruar të këqijat në të mira.
Er-Rauf nuk ua humb veprat robërve dhe ua ngre çmimin, edhe pse nuk e meritojnë, dhe ua pranon adhurimet e mangëta e u dhuron begati me lehtësi. Kuptimi i këtij emri na mbush me dashuri që lëviz zemrat drejt adhurimit e përkushtimit pa hezitim ndaj Tij.
Er-Rauf është Ai, që e veçoi të Dërguarin ﷺ me butësi dhe dhembshuri të madhe për Umetin e tij. Ai ﷺ shpenzoi jetën duke dhënë mundin vetëm që Umeti ta kishte më lehtë. Kujdesi, lehtësimet e lutjet e tij për pasuesit janë tregues i madh i këtij emri, i cili do të manifestohet deri në Ditën e Gjykimit.
Er-Rauf na mëson të sillemi me butësi e dhembshuri mes vete. Na mëson të mos braktisim një vëlla për një gabim, por ta mbështesim. Na mëson t’ua lehtësojmë telashet të tjerëve, t’ua shtyjmë afatet e borxheve dhe, kur të mundemi, edhe t’ua falim borxhet.
Er-Rauf na kujton se butësia dhe mundi i pejgamberit ﷺ u dhanë për të ndërtuar një imazh të bukur të fesë, prandaj edhe ne duhet të sillemi me përgjegjësi të madhe për atë çfarë flasim e çfarë bëjmë, që të mos dëmtojmë muslimanët dhe të mos shpërdorojmë frytet e sakrificave të tij ﷺ, por të jemi prej atyre që gëzohen e mërziten së bashku me Umetin dhe i ruajnë amanetet e fesë.