99 Emrat e Bukur të Allahut

33

ٱلْعَظِيمُ

El-Adhim

Madhështori

Ai që është madhështor në çdo cilësi.

Përshkrim

El-Adhiim është Madhështori, madhështia e të cilit është qenësore dhe nuk varet nga krijesat. Madhërimi që njerëzit i bëjnë ose s’i bëjnë Atij, as nuk ia shton e as nuk ia pakëson madhështinë.

Besimi në el-Adhiim e forcon besimin e pastër në Allahun (teuhidin), sepse vetëm Ai meriton realisht t’i kushtohet dashuri, frikë dhe përulje. Kushdo që orvatet t’i bëjë konkurrencë Atij në madhështi, e asgjëson besimin e vet.

Mirësitë e panumërta, si: jeta, furnizimi, shëndeti, asgjësimi i sunduesve dhe i gjeneratave të pabindura, janë dëshmi se vetëm Allahu mbetet përherë Madhështori.

Reflektimi për Kuranin ngjall zemrën, rrëqeth gjymtyrët dhe zbut shpirtin, duke e drejtuar njeriun që ta madhërojë Allahun me bindje të thellë e jo me fjalë të thata.

Realizimi i madhërimit të Allahut është të mos i atribuosh merita vetes, të mos shohësh sebep tjetër përveç Tij, të mos kundërshtosh asnjë nga caktimet e Tij, të shohësh se gjithçka, në të vërtetë, është në dorën e Allahut.

Madhërimi i urdhrave të Allahut është shenjë e devotshmërisë së zemrës. Kjo zemër gëzohet atëherë kur Allahu kënaqet dhe dhemb atëherë kur Ai hidhërohet.

Llogaritja e vetvetes në dritën e urtësive të jetës të kujtojnë madhështinë e Allahut, i Cili të jep mirësi edhe atëherë kur ti e kundërshton. Ky reflektim të bën ta përulësh veten para Tij dhe ta madhërosh vetëm Atë.