99 Emrat e Bukur të Allahut

27

ٱلْبَصِيرُ

El-Basir

Gjithëshikuesi

Ai që sheh çdo gjë, të dukshme dhe të fshehtë.

Përshkrim

Allahu është el-Besiir, që sheh çdo krijesë - të dukshme a të padukshme për ne - mbi tokë, nën tokë a në det, pa mbetur ndonjë gjë e fshehur nga shikimi i Tij.

Të jesh i bindur se asgjë jotja nuk i fshihet el-Besiir. Ai sheh edhe gjurmët e një buburreci të zi mbi një gur të zi, në një natë të errët.

Kur të gjendesh i vetmuar dhe mendon se askush nuk po të sheh, kujto që el-Besiir sheh edhe më të fshehtën e veprës sate.

El-Besiir, natyrisht, sheh edhe atëherë kur gjendja jote nuk ndryshon menjëherë siç do ti, por Ai vepron me urtësi.

El-Besiir sheh në zemrën e njeriut atë që askush tjetër nuk e sheh. Pikërisht në këtë shikim qëndron arsyeja përse Ai e udhëzon dikë dhe e humb një tjetër.

Ihsani realizohet atëherë kur ti e mban ndër mend se Allahu të sheh ty, edhe pse ti nuk e sheh Atë. Vetëdija për këtë është themeli për përkryerjen e çdo vepre.

Besimi ynë se Zoti është el-Besiir na dallon nga ata që nuk besojnë se Zoti i sheh kudo dhe kurdo, prandaj edhe veprat tona duhet të dallojnë nga veprat e tyre.