99 Emrat e Bukur të Allahut

21

ٱلْبَاسِطُ

El-Basit

Zgjeruesi

Ai që e zgjeron furnizimin dhe mëshirën për kë të dojë.

Përshkrim

El-Baasit është Ai, që zgjeron me urtësi dhe jep me masë. Ai shtrin furnizimin, lehtëson jetesën dhe hap zemrën për mirënjohje. Zgjerimi i Tij nuk është rastësi, por dhuratë që ndodh në kohën më të duhur.

El-Baasit shpërndan mirësitë me drejtësi dhe hap rrugët për secilin sipas urtësisë së Tij. Ai i shton dikujt për ta provuar dhe ia pakëson dikujt për ta mbrojtur, që ata të falënderojnë.

El-Baasit zgjeron shpirtin nëpërmjet besimit dhe dijes për Të. Ai i jep robit mundësi për adhurim dhe përmirësim, duke ia lehtësuar shtegun e kthimit tek Ai sa herë që zemra i ngushtohet nga sprovat.

El-Baasit zgjeron për të tjerët nëpërmjet teje. Ai ta jep dijen ose pasurinë, që të bëhesh shkak i lehtësimit për robërit e Tij dhe i hapjes së zemrave drejt mëshirës së Tij.

El-Baasit i mëson zemrës balancimin e frikës me shpresën dhe të durimit me gëzimin. Ai të zgjeron në adhurim, që të mos dëshpërohesh në sprovë dhe të mos shfrenohesh në mirësi.

El-Baasit zgjeron horizontet e të kuptuarit e të mirësisë për atë që i drejtohet Atij me sinqeritet. Ai ia shton të mirat atij që i kërkon prej Tij dhe ia mbyll rrugët e të këqijave, duke e afruar gjithnjë më shumë nga Vetja.

El-Baasit hap rrugë në çastet kur robi sheh vetëm mure. Ai zgjeron mundësitë, duke i jep jetë shpresës së robit. Çdo zgjerim që vjen prej Tij, është thirrje për afrim dhe falënderim ndaj Tij.