99 Emrat e Bukur të Allahut

56

ٱلْحَمِيدُ

El-Hamid

I Lavdëruari

Ai që meriton çdo lavdërim.

Përshkrim

El-Hamiid është Ai, që meriton çdo lavdërim dhe falënderim. Ne e adhurojmë Atë duke e lavdëruar me elhamdulilah, sepse Ai është burimi i çdo mirësie që kemi. Çdo zemër e udhëzuar frymëzohet nga Ai për ta lavdëruar Atë.

El-Hamiid është vetvetishëm i lavdërueshëm për përsosmërinë e qenies së Tij. Merita e Tij për t’u lavdëruar nuk varet nga dhënia ose mosdhënia e Tij. Ai është i denjë për t’u lavdëruar, për shkak të madhështisë qenësore të Tij, që s’e përfshin askush. Ai është i lavdërueshëm, pavarësisht sprovave që na rëndojnë, sepse çdo veprim i Tij ndaj nesh buron nga urtësia dhe drejtësia absolute. El-Hamiid e meriton lavdërimin nga çdo krijesë. Çdo gjë në qiej e në Tokë e madhëron Atë në mënyrën e vet. Asgjë nuk qëndron jashtë sundimit e mëshirës së Tij, dhe çdo që ekziston, dëshmon lavdinë e pakrahasueshme të Tij.

El-Hamiid është Ai, që krijesat nuk arrijnë ta lavdërojnë ashtu siç Ai e meriton, sepse lavdia e Tij është përtej fuqisë përshkruese të çdo fjale, siç tha i Dërguari ﷺ: “Unë nuk mund të të lavdëroj ashtu siç e meriton Ti”. Ai na ka mësuar si ta lavdërojmë dhe çdo lavdërim që njohim buron prej Tij.

El-Hamiid është Ai, që mbetet i lavdishëm edhe sikur asnjë prej krijesave të mos e lavdërojë. Ai ka qenë i lavdishëm para ekzistencës së çdo krijese dhe do të mbetet i tillë edhe atëherë kur gjithçka veç Tij të shuhet. Madhështia e Tij është e përjetshme dhe e pavarur nga lavdërimi që ia bëjnë krijesat.

El-Hamiid është Ai, që vepron vetëm me drejtësi dhe mirësi. Çdo dhënie nga Ai vjen nga bujaria e Tij dhe çdo privim bëhet me urtësinë e Tij. Ai ka shpërndarë çdo mirësi dhe çdo virtyt mes njerëzve, prandaj askush s’ka arsye të krenohet. Në Ditën e Ringjalljes, edhe banorët e Xhenetit, edhe ata të Zjarrit do të deklarojnë lavdinë e Tij me elhamdulilah, sepse do ta kuptojnë se çdo vendim i Tij ka qenë me drejtësi e mëshirë.

El-Hamiid është Ai, që të kujton, kur ti e kujton Atë, dhe të lavdëron, kur ti vepron për Të. Nëse ti e përmend në veten tënde, Ai të përmendë në Veten e Tij. Nëse ti e përmend në publik, Ai të përmendë në një shoqëri (tubim) më të mirë. Lavdërimi që ti i bën Atij të ngre tek Ai, ndërsa lavdërimi që Ai ta bën ty të lartëson mbi të tjerët.

El-Hamiid është Ai, që mbush zemrën e robit me dashuri për Të nëpërmjet lavdërimit që robi ia bën. Elhamdulilah nuk është thjesht fjalë, por ndjenjë dashurie dhe nënshtrimi ndaj Tij, që buron nga njohja e Tij. Çdo lavdërim që robi i bën Atij e afron me Të. Kush njeh Allahun si el-Hamiid, s’mund të mos e dojë.