99 Emrat e Bukur të Allahut

69

ٱلْقَادِرُ

El-Kadir

I Fuqishmi

Ai që ka fuqi mbi çdo gjë.

Përshkrim

El-Kadiir është i Gjithëfuqishmi, Ai që ka mundësi absolute për çdo gjë. Ai pakëson dhe shton, shfuqizon dhe zëvendëson çfarë të dojë. Asgjë nuk mund të pengojë fuqinë e Tij për të ndryshuar gjërat/gjendjet, për të udhëhequr dhe për të bërë çdo gjë sipas urtësisë së Tij.

Nëse el-Kadiir të prekë me ndonjë të keqe, askush nuk mund të të shpëtojë; nëse të dhuron ndonjë mirësi, askush nuk mund të ta ndalë. Çdo ndryshim i gjendjes vjen vetëm prej fuqisë së Tij absolute.

El-Kadiir është Ndikuesi i Gjithëfuqishëm. Ai vepron dhe arrin çfarë të dojë kur të dojë. Njeriu, sado i fuqishëm, mbetet i kufizuar dhe i dobët në çdo anë. Prandaj dobësitë tona Ai shpesh i balancon me mëshirë, duke na ndalur me varfëri, sprova e sëmundje, që të mos e teprojmë.

El-Kadiir është i Gjithëfuqishmi, ndërsa el-Muktediir nënkupton gjithëfuqinë e përhershme. Ai nuk kushtëzohet nga rrethanat e as nuk dobësohet kurrë, prandaj është mendjelehtësi të shqetësohesh, kur përkrah teje është Ai që ka fuqi absolute.

El-Kadiir, me fuqinë e Tij absolute, sjell krijesa nga asgjëja, u jep formë, jetë dhe vdekje; i ngjallë e u kërkon llogari, dhe hakmerret për të shtypurit. Fuqitë që Ai na ka dhënë në trup e shpirt duhet shfrytëzuar vetëm në nënshtrim ndaj Tij. Mirënjohja për të mirat që Ai t’i dhuron të shton fuqi, keqpërdorimi i tyre të sjellë ndëshkim.

El-Kadiir i mëson robërit të kalojnë nga frika dhe ligështia në mbështetje të plotë te fuqia e Tij. Çdo situatë kritike në jetë është një shkollë tevekuli (mbështetjeje në Allahun), që ta rrënjosë bindjen: “Kurrsesi! Me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”.

El-Kadiir është burimi i çdo fuqie në ekzistencë. Ai i jep pushtetin kujt të dojë dhe ia heq kujt të dojë, lartëson kë të dojë dhe poshtëron kë të dojë. Sepse gjithë pushteti dhe e mira janë vetëm në Dorën e Tij.