99 Emrat e Bukur të Allahut

68

ٱلصَّمَدُ

Es-Samed

I Domosdoshmi

Ai tek i cili drejtohen të gjitha krijesat për nevojat e tyre.

Përshkrim

Es-Samed është Ai, që i drejtohen të gjitha krijesat për çdo nevojë ndërsa Ai nuk ka nevojë për askënd prej tyre. Es-Samed është një emër që përmbledh të gjitha cilësitë e Tij dhe dëshmon se Allahu është mbi çdo gjë dhe prej Tij varet çdo gjë.

Es-Samed është i Përkryeri pa fillim e pa mbarim, tejet i lartë që të ketë ndonjë mangësi dhe të krahasohet me krijesat. Çdo gjë e ka fillimin prej Tij dhe çdo gjë kthehet tek Ai për llogari.

Çdo vendim në ekzistencë varet nga es-Samed dhe pa lejen e Tij nuk ndodh asgjë. Në anën tjetër, njeriu është i zbrazët qenësisht dhe tërësisht i varur nga Ai, dhe zbrazëtirën e vet nuk e mbush ndryshe veçse duke u lidhur me Të.

Es-Samed ta kujton se pavarësia e njeriut është vetëm një iluzion. Sa më shumë që ta ndiesh varësinë nga Allahu në çdo gjë, aq më i sigurt do të jesh se s’ka fuqi e ndryshim veçse nëpërmjet Tij.

Es-Samed i përgjigjet çdo lutjeje me bujari absolute, duke dhënë gjithmonë atë që është më e dobishme për robin edhe atëherë kur nuk i jep atë që kërkon. Sepse madhështia e Tij nuk lë askënd pa dhunti.

Es-Samed të mëson si të lypësh prej Tij, duke të ta dhënë nganjëherë edhe atë që nuk të pëlqen, derisa t’i dorëzohesh plotësisht vendimit të Tij dhe të arrish kënaqësinë e robërimit ndaj Atij që merr çfarë të dojë e jep çfarë të dojë.

Es-Samed nuk lë të shkojë huq asnjë mund dhe sakrificë e sinqertë për Të. Kësisoj besimtarit ia ngrit çmimin çdo veprim në rrugën e Tij. Prandaj, me bindjen se Allahu fiton gjithmonë dhe shpërblimi i Xhenetit është i sigurt, Umeti duhet të mbështetet tek Ai në çdo gjendjee veçanërisht në kohë krize.