99 Emrat e Bukur të Allahut

50

ٱلشَّهِيدُ

Esh-Shehid

Dëshmitari

Ai që është dëshmitar për çdo gjë.

Përshkrim

Esh-Shehiid është Ai, që nuk i fshihet asgjë. Ai është i pranishëm, di dhe dëshmon çdo gjë që ndodh. Ai ka regjistruar të gjitha ngjarjet, pa harruar asnjë detaj, dhe në Ditën e Gjykimit dëshmia e Tij absolute do të jetë themeli i gjykimit pa asnjë padrejtësi.

Esh-Shehiid dëshmon për pejgamberët dhe për plotësimin e misionit të tyre, duke dëshmuar se ata ua lanë popujve udhëzimin e drejtë. Ai do të dëshmojë për ta në Ditën e Gjykimit ashtu siç dëshmoi për Muhamedin ﷺ në Arafat se përcolli plotësisht mesazhin hyjnor.

Esh-Shehiid është Ai, që dëshmon për vërtetësinë e misionit të Muhamedit ﷺ, duke e bërë thirrjen e tij të suksesshme dhe Kuranin si argument të pamposhtur. Për dështimin e çdo përpjekjeje për ta mohuar thirrjen e tij dëshmon historia dhe fenomenet që dëshmojnë vullnetin e Allahut. Dhe dëshmia e Allahut është më e madhja.

Esh-Shehiid është Ai, që dëshmon për njësinë e Vet dhe për realitetin e madh të dëshmisë “La ilahe il’laAllah”, para të cilës rrënohen të gjitha besimet e kota dhe ndërtohet gjithë feja e vërtetë. Kush e njeh këtë dëshmi, e beson, e deklaron dhe e zbaton, duke u bërë kështu pjesë e dëshmisë madhore për Zotin e gjithësisë.

Esh-Shehiid mban gjallë këtë fe dhe dëshmon për vërtetësinë e saj duke ngritur dëshmitarë prej dijetarëve, duke bërë Kuranin dëshmitar të përhershëm në ndryshimin e njerëzve, duke na ngarkuar edhe vetë neve të jemi dëshmitarë të denjë të Tij në Tokë. Dhe dëshmia jonë bëhet e denjë atëherë kur të manifestohet në fjalët dhe në sjelljet tona. Sidoqoftë, në fund Ai vetë është Dëshmitari dhe Gjykatësi absolut, mbi dijen e të Cilit qëndron çdo gjykim.

Esh-Shehiid dëshmon për vërtetësinë e Librit të Vet dhe të Muhamedit ﷺ si i Dërguar i Tij. Ne, që kemi vetëm pak dije e aspak fuqi, jemi ftuar të bëhemi pjesë e kësaj dëshmie vetëm për t’u nderuar dhe shpërblyer. Nderi më i madh për robin është të përfundojë jetën me shahadet si pjesë e dëshmimit të tij për Zotin e vërtetë. Dhe mjafton Allahu si Dëshmitar.

Esh-Shehiid është Ai, që dëshmon veprat e robërve, sidomos namazin e sabahut dhe të ikindisë, duke i bërë melaiket dhe vetë Kuranin dëshmitarë për këtë. Prandaj mos privo veten nga këto momente, që Allahu të dëshmojë për ty se ishe në adhurim atëherë kur shumica ishin të zënë me gjumë ose me dynja.