99 Emrat e Bukur të Allahut

09

ٱلْجَبَّارُ

El-Xhebbar

i Gjithëfuqishmi

Ai që nënshtron gjithçka me fuqinë dhe madhështinë e Tij.

Përshkrim

El-Xhebbaar është Ai, që imponon me urtësi, vendos me forcë të pakundërshtueshme, mposht të padrejtin, rregullon të thyerën dhe e ngre atë që vetë nuk mund të ngrihet.

Kur Allahu imponon diçka, ka vetëm urtësi dhe drejtësi hyjnore; kur njeriu imponon, aty zakonisht ka veç padrejtësi e shtypje.

Askush s’mund t’i ndalë zullumqarët si el-Xhebbaar. Asnjë pushtet njerëzor nuk mund t’i bëjë ballë Atij. Prandaj, mos u dorëzo, sepse Ai mposht kë të dojë kur të dojë dhe si të dojë.

Kuptimi i drejtë I këtij emri të nxitë në përmirësim dhe eliminon të gjitha hamendësitë që vonojnë përmirësimin dhe ngjallin frikën e pasigurinë për t ia filluar dhe përfunduar. Nëse kërkon ndihmë nga el Xhebbar dhe bindesh në kuptimet e këtij emri atëherë çdo vështirësi lehtësohet dhe çdo sukses është i arritshëm.

Kur të ndihesh i thyer, i pafuqishëm dhe larg adhurimit, të jesh i bindur se el-Xhebbaar ta mbledhë zemrën e shkapërderdhur dhe të ngre atje ku ti vetë nuk ke fuqi të ngjitesh.

Kur s’mund të ecësh drejt adhurimit, për shkak të lodhjes së brendshme, thirr: “O el-Xhebbaar, më ngre atje ku vetë nuk arrij dot!”

Mundësia që t’i afrohesh Zotit me një sexhde në këtë univers me kufij të paarritshëm, të lë ta kuptosh realitetin e lidhjes sate me el-Xhebbaar, i cili lartëson robërit e përulur në nivelet e larta të nderimit dhe shpërblimit.